Monumenti i gjallë | KARROTA

U rritëm bashkë me klientët, të cilëve vazhdojmë t'u japim dashuri me punën më kreative nga zyrat në Prishtinë dhe Tiranë, së shpejti edhe në Londër.

logo-thumbnail rotate logo-thumbnail-fb
NEWBORN

U rritëm bashkë me klientët, të cilëve vazhdojmë t'u japim dashuri me punën më kreative nga zyrat në Prishtinë dhe Tiranë, së shpejti edhe në Londër.

DizajnPR-Ndodhi PublikeJetesë
Monumenti i gjallë

Krijuar për NEWBORN me Dashuri | 2021

NEWBORN është Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Është zbuluar më 17 Shkurt 2008 dhe ri-ngjyroset ndryshe çdo vit, vazhdimisht duke marrë pamje dhe kuptim të ri. Tema e çdo viti përmban një porosi nga Kosova për botën, duke e paraqitur pjesëmarrjen dhe kontibutin e saj në ngjarjet globale.

Qysh nga atëherë, NEWBORN vazhdon të jetë shenjë identifikuese e Prishtinës, duke u bërë monumenti më i vizituar dhe i fotografuar në rajon.

Sot njihet si atraksion turistik, vepër arti dhe monument i gjallë historik në një, duke u futur në mesin e pak objekteve të këtij lloji në botë.

Për tregimin e krijimit dhe zbulimit të monumentit NEWBORN, kliko këtu:
Më i madh se vetë jeta


NEWBORN 15

NO NEW B(roken) R(epublic)

Shumë dashuri, përkushtim dhe kreativitet gjatë këtyre ditëve për pamjen e re të NEWBORN.

Çdo vit, pa përjashtim, NEWBORN ka dhënë një mesazh të fortë, duke shënuar çdo vit zhvillimin e Kosovës në rrugën e saj drejt shndërrimit në një vend që çdo kosovar e ëndërron.

Tema e këtij viti nuk është ndryshe. Është provokuese, në fakt ndoshta më shumë se herët e tjera, por si gjithmonë është aktuale me gjendjen në të cilën ndodhet populli dhe vendi ynë, që është një udhëkryq tjetër i rëndësishëm drejt shtetësisë së Kosovës.


NEWBORN 14

Gratë me krahë

NEWBORN këtë vit qëndroi si përkujtim i vazhdueshëm i këmbënguljes, forcës dhe guximit. Këtë vit, NEWBORN trajtoi si temë keqtrajtimin e grave, përmes një këndvështrimi të çiltër, por pozitiv, mbështetës dhe fuqizues, duke shërbyer edhe si përkujtim i të gjitha sukseseve të mëdha të grave tona në fusha të ndryshme.

Një çështje globale, keqtrajtimi i grave, edhe pse shpeshherë është në ballë të luftës për barazinë gjinore, vazhdon të kthehet në një përçarje mendimesh, me çdo bisedë kalimtare.

Pjesa e përparme e NEWBORN u ngjyrosë me figura të grave të të gjitha racave, moshave, formave dhe përkatësive të ndryshme, duke vazhduar të çojë më tej mesazhin se jemi një, por gjithmonë duke përqafuar dallimet tona të thella. Kurse, shkronja W u pikturua me krahë të bardhë, një mesazh i fuqishëm i shpirtit, forcës dhe besimit për të qenë të vetmet pronare të trupit dhe fatit të tyre. Fytyrat e grave në të dy anët e krahëve shikojnë drejt krahëve, një mesazh lirie.

Pjesa e pasme e NEWBORN-it u lye me ngjyrë të zezë, në përkujtim të dhimbjes që kalojnë gratë nëpër eksperiencat e tyre, dhe me krahët e bardhë të pikturuar në W, që shërbejnë si një përkujtim i vazhdueshëm i rrugëtimit për t’u çliruar. Krahët në të dy anët do të shërbejnë si vend fotografimi. NEWBORN do të vazhdojë të shtyjë barazinë e grave dhe njohjen e përvojave të tyre, qofshin ato pozitive apo dhunuese, siç tregohet nga puna jonë e vitit 2019, dhe si e tillë ne besojmë fuqimisht që edhe ky vit do të jetë një hap në drejtimin e duhur për nxitjen e bisedave për vlerësimin e grave përtej përvojave të tyre.


NEWBORN 13

2021 – E PRUMË PAQEN BASHKË

Në një kohë kur po na cenohet dinjiteti dhe lufta e pastër si asnjëherë më parë, është momenti i fundit që të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’i tregojmë botës se paqen e prumë të gjithë ne, me shumë sakrificë.

Ishte lufta ajo që i ndryshoi të gjitha, që ne sot të jetojmë të lirë. E paguam dikur me çmim të shtrenjtë, prandaj sot e konsiderojmë të shenjtë.

Sivjet u bëmë të gjithë prapë bashkë, t’i tregojmë botës, sikur në ditën kur u shpall pavarësia kur të gjithë e lamë nga një shenjë, se jemi të njëzëshëm për sakrificën dhe flijimin e të gjithë atyre që dhanë jetën, që ne të jetojmë në paqe.

Këtë vit, i ftuam qytetarët që të gjithë bashkë t’a ngjyrosim shuplakën me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument si shenjë respekti, dashurie dhe përkrahje për luftën tonë, që në fund Monumenti NEWBORN të ketë pamje të uniformës së ushtrisë, të krijuar nga duart e vetë qytetarëve


NEWBORN 12
2020 – Luftërat e pa fundme

Kushtuar të gjitha viktimave të përdhunuara gjatë konflikteve anembanë botës.

Sot, që konfliktet përndizen nëpër vende të ndryshme, viktimat e tyre kryesisht femra vazhdimisht përdhunohen, ose pas konfliktit i vuajnë paragjykimet dhe vështirësitë e të pranuarit në shoqëri.

Vizuelisht, NEWBORN i 2020-tës është i ngjyrosur kryesisht me të zezë, duke paraqitur shkatërrimin dhe zbrazëtinë që lë prapa secila luftë. Shkronja W është mbuluar me elemente shprese dhe lirie, në forma të ndryshme lulesh, zogjsh e fluturash, që përfaqësojnë karakterin e brishtë, por megjithatë të rimëkëmbshëm të të gjitha viktimave që mbijetojnë dhe i jetësojnë përpjekjet së bashku, ndërsa format depërtojnë përtej W-së (War [Lufta], Women [Gratë], World [Bota]).

Shpërthimi i pozitivitetit dhe shpresës shtrihet në shkronjat fqinje E dhe B, duke u përhapur edhe nëpër shkronjat e tjera për ta përfaqësuar të vërtetën e ngadaltë, por të pashmangshme, se e mira do të ngadhënjejë.

Secila prej shkronjave të zeza do përmban edhe rrëfime të shkurta prekëse ose fjali të mbledhura nga viktimat e përdhunimeve gjatë luftës së vitit 1999, në shqip e anglisht. Këto copëza janë botuar më parë, duke përshkruar përjetime të tmerrshme dhe kujtime të hidhëta. Qëllimi ynë ishte t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për përvojat e tmerrshme nëpër të cilat u detyruan të kalonin këto viktima.

Gojarisht, NEWBORN shndërrohet në akronim (ose, më parë, në poezi akrostike), ku secila shkronjë e nis një fjalë, duke e përpiluar këtë fjali, të shkruar në pjesët anësore të monumentit:

Never
Ending
Wars
Bring
Oppression,
Rape and
Neglect
Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje


NEWBORN 11
2019 – Mbrojtja e tokës

Ndotja e ambientit është një çështje problematike në vazhdimësi tash disa dekada në Kosovë, dhe gati asgjë nuk është bërë deri tani. Prishtina shpesh gjindet e para në listën e qyteteve më të ndotura në botë, por asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga qeveritë për të zhdukur këtë dukuri të shkaktuar nga termocentrali që gjindet afërsi, dhe qarkullimi i stërngarkuar me vetura nëpër qytet.

NEWBORN i vitit 2019 i është kushtuar ambientit, pasi që ngrohja globale është çështje aktuale në botë dhe Kosova është pjesë e problemit, duke kërkuar zgjidhje në çdo mënyrë.

Ne përdorëm doodles, një stil modern të ilustrimit, për të vizatuar elemente të ndryshme në secilën shkronjë, me ndihmën e shumë graffiti artistëve dhe vullnetarëve që morën pjesë në këtë proces.

Secila shkronjë përfaqësonte një element kyç për ruajtjen e ambientit. Prandaj dhe të dy shkronjat N, në fillim dhe në fund të monumentit, përfaqësojnë vetë Natyrën, duke krijuar ciklin e jetës.

E për Energji dhe R për Reciklim përbënë ciklin tjetër, duke përfaqësuar zbulimet njerëzore, kurse W për (Water-Ujë) dhe O për Oksigjen krijuan ciklin e brendshëm, si dy elementet esenciale të jetës, duke e lënë shkronjën B për Biodiversitetin në mes të tri këtyre cikleve, duke përfaqësuar vetë jetën.

Secila shkronjë kishte shpjegimin e domethënies të përshkruar në pjesën e pasme të monumentit.


NEW10RN
2018 – Dekada

Pak ditë para fillimit të kremtimeve të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, NEWBORN u largua përkohësisht për mirëmbajtje para datës 17 Shkurt 2018.

Shtresat e ngjyrës të shtresuara me vite u larguan dhe sipërfaqet e ndryshkura u trajtuan, gati për pamjen e re.

Shkronja B u zavendësua me numrin 1, duke krijuar numrin 10, pasi u vendos pranë shkronjës O. Pastaj, numri 10 u ngjyros me ngjyrë ari kurse shkronjat tjera u ngjyrosën me ngjyrë të argjendtë, duke i dhënë monumentit një pamje magjepsëse për përvjetorin e 10-të të Pavarësisë.


NEWBORN 9
2017 – Ti rrëzojmë muret

Vitet 2016 dhe 2017 shënuan ngjarje globale dhe vendore që, në vend se të bashkonin popujt, nxisnin krijimin e mureve, për ti ndarë ata.

Si reagim ndaj të gjitha mureve të tilla nëpër botë, si dhe murit të fundit i cili ndërtohej në Mitrovicë, porosia e NEWBORN këtë vit ishte inovative, e qartë dhe e drejtpërdrejtë.

Përderisa një pjesë e madhe e strukturës qëndronte e ngritur, e ngjyrosur si mur, shkronjat N dhe W u shtruan përtokë, duke qëndruar horizontalisht.

Kur shikohej nga përballë, _E_BORN përfaqësonte një mur të rrëzuar, duke bërë thirrje për ndalimin e të gjitha ndarjeve nëpër botë.

Kjo na mundësoi ta shkruajmë NO WALLS (JO MUREVE) në tokë, me ndihmën e shkronjave të shtrira N dhe W, duke e bërë kështu porosinë të dukshme vetëm nga lartë.


NEWBORN 8
2016 – Izolimi

Ndryshe nga pamjet dhe porositë e viteve të mëhershme, që shprehnin mirënjohjen ndaj botës për ndihmën që ia dhuroi Kosovës për ta shpallur pavarësinë, NEWBORN i vitit 2016 shprehi indinjatën ndaj botës që po e izolon këtë vend të ri.  

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, kosovarët vazhdimisht mbaheshin të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Telat me gjemba që pengonin njerëzit të synojnë qiellin ishte thirrje për botën për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.  


NEWBORN 7
2015 – Shprehu lirshëm

Në kujtim të NEWBORN të parë, ku njerëzit i shprehën ndjenjat e tyre duke shkruar me markera të përhershëm në monument, varianti i vitit 2015 ishte vazhdim i zgjeruar i asaj ideje.

Të gjithë, fëmijë dhe të rritur, u ftuan për të shkruar, vizatuar dhe shprehur lirshëm në NEWBORN.

Ngjyra u sigurua për dy ditë rresht për qindra njerëz, të cilët krijuan një prej veprave artistike më kaotike dhe magjepsëse, e cila do të zgjaste vetëm për disa orë, deri sa të vinte dikush tjetër dhe ta ndryshonte.


NEWBORN 6
2014 – Kujtim për të ramët

Viti 2014 shënoi 15 vjetorin e lirisë, pas çlirimit nga shtypja e vitit 1999. Për të përkujtuar atë, NEWBORN u vesh me kamuflazh.

Secila shkronjë u ngjyros me lara ushtarake, identifikuese të ushtrive të shteteve të NATOs, për të shprehur mirënjohjen për sakrificën e atyre burrave dhe grave të guximshme që ndihmuan çlirimin e Kosovës.

Mbi të gjitha, monumenti shprehi mirënjohjen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që shërbeu si forcë tokësore gjatë luftës, në përkujtim të heronjëve që dhanë jetën, dhe atyre që mbijetuan, duke kontribuar për vendin dhe popullin e tyre.


NEWBORN 5
2013 – Mirënjohja

Anipse NEWBORN ishte dashur të ngjyrosej çdo vit, u deshën pesë vite deri sa e ndryshoi pamjen për herë të parë, në vitin 2013. Kjo ndodhi për shkak të neglizhencës së qeverisë për të formuluar një plan të qartë dhe një praktikë për mirëmbajten e monumentit.

Si rezultat, qytetarët morën çështjen në duart e tyre, për të realizuar idenë fillestare për pikturimin e të gjithë flamujve të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Angazhimi ishte masiv. Mijëra qytetarë e pëlqyen idenë kur u prezantua në rrjetet sociale, dhe shumë prej tyre u ofruan për të ndihmuar me ngjyrosje, pajisje dhe fonde për këtë projekt.

U deshën mbi 100 vullnetarë për ta realizuar këtë punë brenda 24 orësh, duke ngjyrosur tërë natën për të përfunduar pikturimin e flamujve në kohë për agimin e 17 shkurtit 2013, për të festuar 5-vjetorin e pavarësisë.

Mijëra njerëz që kishin dalur në rrugët e Prishtinës për të festuar përvjetorin, vizituan monumentin NEWBORN, duke u shprehur se, edhe këtë herë, monumenti ishte pjesa më bukur e festimeve.

Mediat botërore për 5-vjetorin e pavarësisë:

BBC World
Republic of Kosovo prepares for anniversary

BBC
Kosovo marks fifth year of independence from Serbia

Yahoo! News
Kosovo celebrates 5 years of independence

Gazeta Shqip
Kosova pesë vjet pavarësi, NEWBORN të ri-ngjyroset sërish nga qytetarët

Prishtina Press
Painting of Newborn Monument and Celebrating Kosova’s Independence


Lexo NEWBORN artikullin në Wikipedia

Shih Faqen e NEWBORN në Facebook

Vizito NEWBORN në Instagram

Shih poashtu: Më i madh se vetë jeta