
E morrëm me nder dhe përkushtim projektin e GIZ për një kauzë që e kemi për zemër, dhe e cila çdo ditë e më shumë po bëhet e domosdoshme ‘menaxhimi i mbeturinave dhe ekonomia qarkore’.
Së bashku ideuam fushatën, “Mendo gjelbër, vepro gjelbër”. Duke përdorur ngjyrat e tokës u munduam që përmes një simboli të veçantë ta bartim tokën në logon e këtij projekti, duke krijuar një emblemë të paraqitur në të gjitha materialet përcjellëse të kësaj fushate.
Fushatën e madhe e hapëm me organizimin e një eventi, ku me përkrahjen e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Komisionit Evropian, Qeverisë së Gjermanisë dhe shumë partnerëve tjerë zbuluam aktivitetet e ndryshme, si pjesë të kësaj fushate.
Filluam me një thirrje modeste ‘Mbaje në xhep’, një veprim i vogël dhe i thjeshtë, por një shprehi pozitive nga e cila fillojnë shumë tjera. Me mbajtjen e mbeturinave të vogla në xhep, fëmijët do të bëhen të vëmendshëm ndaj pastërisë së ambientit ku jetojnë. Për këtë akivitet e bëmë një libër të ilustruar tërheqës dhe informues për fëmijë, i cili përçon mesazhin e ruajtjes së mjedisit përmes përrallës magjepsëse të një fëmije me një zanë. “Mbaje në xhep” u prezantua në SOS Fshatin si një mjet për të edukuar dhe frymëzuar mbrojtjen e mjedisit.
Vazhduam me aktivitete të vogla por shumë domethënëse, kësaj rradhe bëmë thirrje për qytetarët që të mbledhin mbeturina gjatë shetitjes, një iniciativë e famshme rekreative që kishte fillu si lëvizje në Suedi e quajtur ‘Plogging’. Na e emëruam ‘KAPEC’, duke u bazuar në aktivitetin kryesor dhe duke kombinuar fjalët KAP+EC. Kësaj thirrje iu bashkëngjiten një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët i takuam rrugës në Parkun e Gërmisë.
Aktiviteti i rradhës ‘Ctrl, Alt, Del’ na shpiu në shkollat fillore ‘Shkolla e Gjelbër’ dhe ‘Nazim Gafurri’ në Prishtinë, ku nëpërmjet garave ju shpjeguam fëmijëve si bëhet reciklimi dhe folëm për rëndësinë e tij.
Entuziazmi ynë mbetet i pashuar ndërsa vazhdojmë të bashkëpunojmë me GIZ-in në projektet e tyre të ardhshme, duke ndjekur me vendosmëri ëndrrën e një bote më të gjelbër dhe qëndrueshme.